 | Në këtë numër Ramiz Alia flet për marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. Ai shpjegon se si u prishën marrëdhëniet e vendit të vogël Ballkanik me Fuqitë e Mëdha. Një nga arsyet kryesore të prishjes së marrëdhënieve me anglezët ishte pikërisht incidenti në Kanalin e Korfuzit, ku sipas Ramiz Alisë edhe sot e kësaj dite nuk ka një version zyrtar se kush e minoi kanalin, ku shpërthyen dy anijet e Flotës Britanike. Ndërsa në prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, duket se një rol ka luajtur misioni humanitar UNRA. Nga qeveria Shqiptare UNRA është akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme. Pas prishjes së marrëdhënieve me shtetet e fuqishme të Perëndimit dhe pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, Shqipëria mbeti e izoluar nga një pjesë e mirë e botës. Në këto momente edhe rrugët e Shqipërisë për të kontaktuar me vendet e tjera aleate ishin bllokuar, duke e futur vendi në një krizë. Nga ana tjetër, një lojë “bandash” me spiunazh dhe kundërspiunazh kishte nisur dhe Shqipëria ishte vënë në qendër të vëmendjes. Edhe në këtë kohë sërish del në sipërfaqe emri i Kim Filbit, një spiun i dyfishtë, i cili ariti të bënte një lojë ndërkombëtare përgjithësisht në interes të Bashkimit Sovjetik. Por në këtë pjesë Ramiz Alia shpjegon se pse Shqipëria mbeti në kampin lindor, dhe cilat ishin kushtet gjeopolitike, që e përcaktuan një gjë të tillë. Duke kujtuar Kongresin e Berlinit, më 1878 dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913 etj., që dhe në këto mbledhje dominonin Fuqitë e Mëdha të Perëndimit, Ramiz Alia i faturon vendeve të Evropës Perëndimore copëtimin e Shqipërisë.
(Vijon nga numri i kaluar)
Aksioni “Shqipëria” dhe zbarkimi i grupeve balliste me spiunin e Kim Filbi Gjendja në Shqipëri u keqësua pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë. Të mos harrojmë se jemi në vitin 1948. Elementët Ballistë ose Zogistë ende ishin gjallë dhe ishin aktivë. Kur u prishëm me Jugosllavinë, Shqipëria faktikisht u rrethua nga të katër anët. Si shembull po ju tregoj se për të shkuar nga Shqipëria në Hungari duhet të hipje në vapor në Durrës, t’i bije rreth e qark deri në Detin e Zi, të dilje në Konstancë (Rumani) dhe pastaj nëpër Rumani të kaloje në Hungari. Unë një herë kam pritur një muaj të tërë në Rumani kot, pa asnjë punë, vetëm pse s’po vinte vapori për t’u kthyer në Shqipëri. Jugosllavët nuk na lejonin që të fluturonim me avion mbi territorin e tyre. Ata i zbrisnin aeroplanët me dhunë. Kjo mënyrë e udhëtimit ka zgjatur deri në vitin 1956. Pra, kjo bllokadë që iu bë Shqipërisë, i nxiti, i inkurajoi këto forca. Shqipëria, vendi ku u përplasën agjenturat Së dyti, kjo kohë kondicionon edhe me ndërmarrjen anglo-amerikane, kur Inteligjent Service dhe CIA gjykuan që ka ardhur momenti t’i jepet një goditje imperatorisë komuniste. U zgjodh Shqipëria si vendi më i përshtatshëm për këtë. Pastaj u aktivizuan Dejvid Smajli, Xhulian Emeri, nga ana e anglezëve. Kishte njerëz dhe nga ana e amerikanëve. Përgatitja e njerëzve dhe e diversantëve bëhej në Maltë. Nga ana e Smajlit. Kur anglezët kërkuan ndihmën e amerikanëve, këta krijuan një repart me numër 4.000 në Gjermani, që përbëhej nga emigrantë shqiptarë. Këto forca, pasi i përgatitën, i sollën me anije në Shqipëri. Ato këtu u likujduan. Anglezët dhe amerikanët ia atribuojnë këtë Kim Filbit. Filbi ka marrë pjesë në këtë aksion, që është quajtur “Shqipëria”. Pra, ata thonë që Filbi ka lajmëruar qeverinë shqiptare përmes Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, Filbi nuk ka mundur ta dijë datën e vendin e saktë të ardhjes së këtyre grupeve, por alarmin për një aksion të tillë mund ta ketë dhënë. Atëherë është bërë një lojë e famshme. Ahmet Zogu nuk përkrahu aksionet kundër Shqipërisë Duhet ta dini që Zogu në fillim nuk e ka përkrahur këtë aksion. Në vitin 1953 hynë në lojë amerikanët. Këta iu lutën Zogut që t’u jepte amerikanëve nja katër veta, midis tyre dhe një farë Zenel Shehu. Zenel Shehu ishte adjutant i tij. Ky hyri në Shqipëri dhe ra në duart tona, me të tëra. Me radio, me kodin, me të gjitha. Zenel Shehu u vu në shërbimin tonë. Një vit të tërë ka vazhduar loja midis nesh dhe amerikanëve. Kështu, përmes tij, ne kërkonim armë për “çetat kundër pushtetit”, të cilat kinse ishin krijuar në Shqipëri, pastaj i kërkonim edhe njerëz “për ndihmë”, të cilët ishim të interesuar t’i kapnim, sepse kishin bërë krime. Midis tyre kërkuam edhe Hamit Matjanin, që ka qenë një nga kryetarët e çetave të Ballit Kombëtar. U kap edhe ky dhe pas tij u bë gjyqi, e gjithë bota u habit me të, sepse ishte një befasi e madhe, një investim i tillë kundër Shqipërisë. Të gjitha këto përshkruhen qartë në librin “Tradhëtia e madhe” e Lordit N. Bethel. Shqipëria mbetet në Bllokun Lindor Nuk duhet gjykuar që Shqipëria kishte dëshirë të mbetej në Lindje. Edhe historia, si të thuash, e bën punën e vet. Jaltën nuk e bëmë as ne e as Kosova. Zaten, as ndarjen e Kosovës nga Shqipëria nuk e bëmë ne, kjo na u imponua nga qarqet ndërkombëtare. Nëqoftëse mund të themi se ne i kemi fajet që qëndruam nga Lindja, nuk mund të shtojmë pyetjen: Po kush na ndau? Na ndau Perëndimi apo jo? Gjeo-politika Unë them se me gjografi nuk bëhet politika, Sali Berisha vajti në mbledhje në Stamboll, në takimin e shteteve themelore të nismës së Detit të Zi, që është në Lindje. Për mendimin tim, ky nuk ishte kurrëfarë gabimi! Pse? Nëse Shqipëria ka interes të marri pjesë në këtë nismë, pse të mos marrë. Unë jam edhe për këtë: Ne duhet të marrim pjesë edhe në lidhjen Arabo-Islamike. Ato shtete kanë para. Hallet i kemi te paratë, jo te xhamitë. Në qoftë se ke mundësi të përfitosh edhe nga Lidhja Islamike, pavarësisht se kjo organizatë është me karakter fetar, pra, po ju bë mirë, po përfitoi Shqipëria, s’ka gjë të keqe nga prezantimi ynë në këtë lidhje. Nesër mund të hapet mundësia që ne të kemi lidhje të ngushta me Japoninë dhe Japonia të ketë interes të investojë në Shqipëri. Atëherë, pse të mos kemi marrëdhënie të mira me Japoninë, e cila gjendet në Lindjen e Largët? Mes dy zjarresh Dua të them që gjeografia nuk e përcakton politikën. Vërtet ekziston fjala koncepti gjeo-politikë, por jo në kuptimin që pozicioni gjoegrafik determinon automatikisht pozicionin dhe orientim politik. Po të marrësh Shqipërinë, për sa i përket politikës së jashtme, ajo në radhë të parë duhet të mendojë që të sigurojë kufijtë e vet. Fqinjët nuk mund t’i zgjedhësh. Por të përpiqemi të luajmë edhe me një politikë të tillë, që, së paku, t’i neutralizojmë veprimet agresive të tyre, duke gjetur pikat e dobëta të njërit apo tjetrit. Themelore është të mos e vëmë veten në mes dy zjarresh. Kjo është, si të thuash, elementi i parë i një politike të mençur. Aktualisht, bëhet akuza se është pasojë e gabimeve të drejtuesve të LNÇ–së dhe të pasluftës, që Shqipëria u lidh fillimisht me Jugosllavinë, pastaj me Bashkimin Sovjetik, domethënë me Lindjen, me kampin socialist. Realiteti konkret Këto, sipas mendimit tim, janë hipoteza politikanësh naivë, të cilët nuk kanë parasysh realitetet konkrete dhe kushtet historike kur janë zhvilluar ngjarjet. Siç e thashë edhe më sipër, orientimi politik i Shqipërisë nga Lindja nuk është një fat që e kemi zgjedhur ne shqiptarët. Qysh kur u nda imperatoria romake, trojet e paraardhësve tanë mbetën rreth pesë shekuj në pjesën lindore të saj, me Bizantin. Më pas as dyndjet sllave, që erdhën përtej Uraleve, as pushtimi osman pesëshekullor, që erdhi gjithashtu nga Lindja, nga Anadolli, nuk i kërkoi, as i ftoi populli ynë. Ajo që duhet të ishte epërsia e natyrshme e shqiptarëve, pozicioni gjeografik midis Lindjes dhe Perëndimit, historiku u vërtetua si mallkim i tyre. Në trojet shqiptare u shtuan lakmitë dhe u përleshën armiqësitë e dy botëve, u ndanë hesapet e tyre. Nëse nga Lindja erdhën pushtime të gjata dhe robëri të rënda, as Perëndimi s’e ka përkëdhelur popullin shqiptar. Edhe këtë duhet ta kemi parasysh. Kongresi i Berlinit Le të kujtojmë Kongresin e Berlinit, më 1878, dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913 etj., që copëtuan Shqipërinë. Në këto mbledhje dominonin Fuqitë e Mëdha të Perëndimit: Anglia, Franca, Austro- Hungaria, Gjermania, Rusia etj. Mund të themi dy herë në këtë shekull, më 1920 dhe më 1939, pushtimi i huaj na ka ardhur nga Perëndimi. I përmenda këto fakte për të theksuar se të mirat ose fatkeqësitë kombëtare nuk mund të shpjegohen vetëm me anën e gjeografisë. Edhe me zgjedhjen politike, që bëri Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore, duhen pasur parasysh situatat dhe rrethanat politike të kohës. Thashë më parë se pas Luftës, si rrjedhim i vendimeve të Konferencës së Jaltës, Shqipëria mbeti në zonën e influencës sovjetike. Pra, edhe zgjedhja e rrugës së zhvillimit nuk mund të mos kufizohet dhe të përcaktohej nga ky fakt. Kjo gjë ndodhi edhe me vendet e tjera të Evropës Lindore. Mund të thuhet se vendimi i Jaltës mori parasysh faktin se në Shqipëri, lëvizja e majtë ishte më e fuqishme. Kjo mund të jetë e vërtetë! Por a duhet të përgjigjet e majta se alteranativa e djathtë u shkri dhe u shua si pasojë e lidhjeve, që kishte me pushtuesit fashistë? (vijon nesër)
KANALI I KORFUZIT Prishja diplomatike me anglezët Kur mësuam në vitin 1946, që dy destrojerë anglezë ndeshen në mina në ujërat territoriale të Shqipërisë, ne nuk dinim që kishte mina. Zyrtarisht nuk duhet as sot se kush i ka vënë këto mina. Ushtria shqiptare nuk dispononte mina të tilla. Delegacioni shqiptar në Gjyqin e Hagës, që ka shqyrtuar këtë rast, nuk ka pranuar që qeveria shqiptare ka vënë mina dhe efektivisht nuk e ka bërë këtë punë. Gjyqi i Hagës megjithatë, e dënoi Shqipërinë, sepse, pavarësisht që nuk i kishte vënë, qeveria e saj nuk e tregonte se kush i kishte vënë ato mina! Aluzioni ishte që këto mina i kanë vënë jugosllavët. Për këtë çështje doli dëshmitar në gjyq edhe një oficer jugosllav, i cili u arratis në Angli nga Dubrovniku, apo nga Spliti, nuk më kujtohet tani. Kështu në gjyq e dënuan Shqipërinë që të paguajë 800 e sa mijë funta stërlina për këtë incident. Ne, natyrisht, nuk pranuam se ishim fajtorë, anglezët më pastaj bllokuan floririn tonë, të cilin ia kishin marrë gjermanëve dhe kështu lindi konflikti i parë midis nesh edhe anglezëve. I japim, s’i japim; i marim, s’i marrim. Dhe mbeti pa u zgjidhur për pesë dekada çështja e marrëdhënieve diplomatike me Anglinë.
|